Gjykata amniston korrupsionin në burgje, liron shefin që mori 700 € për një leje

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 19.09.2025, 18:04

Pak ditë më parë një skandal i rëndë doli në dritë, duke treguar edhe një herë se korrupsioni në Shqipëri nuk është thjesht një fenomen, por një plagë e përhershme që nuk shërohet kurrë. Shefi i Regjimit të Brendshëm në IEVP Lushnjë, Irakli Leka, u kap duke marrë 700 euro për t’i dhënë një të burgosuri një leje 5-ditore. Jo vetëm kaq, por sipas vetë fjalëve të tij, paratë nuk do t’i mbante vetëm për vete, por do të ndaheshin edhe me “të tjerë më lart”.

Në një vend normal, ky do të ishte një akt i rëndë, që do të përfundonte me heqje lirie dhe me një mesazh të qartë se drejtësia nuk blihet me para. Por jo në Shqipëri. Jo në vendin ku kriminelët dalin nga qelitë me “arrest shtëpie”, ndërsa qytetarit të thjeshtë i mjafton një gabim i vogël që të kalbet pas hekurave.

Sot, Irakli Leka doli para togave të zeza. GJKKO, ndonëse arrestimi erdhi me urdhër të SPAK, vendosi që shefi i kapur me ‘presh’ në dorë nuk ka pse të kalbet në burg. Mjafton një “arrest shtëpie”. Sepse mesa duket, kur është fjala për kolegët apo institucionet që lidhen me të, ndjeshmëria e gjykatës është gjithmonë e veçantë.

Kujtomë që paraditen e sotme, një tjetër vendim skandaloz u mor në sallën e gjyqit: Pajtime Fetahu, ish-gjyqtarja e akuzuar për mbrojtjen e bandave, u lirua nga burgu. Një mesazh i qartë për shoqërinë: korrupsioni nuk dënohet, përkundrazi, shpërblehet me liri dhe privilegje.

Ndërkohë qytetari i zakonshëm e di fare mirë se nëse nuk paguan një faturë dritash, ose nëse vonohet për një gjobë, sistemi i drejtësisë e kap për fyti dhe nuk e lë pa e dënuar.

Dhe këtu lind pyetja: A është kjo drejtësi? Apo është një pazar i madh ku vendimet merren jo sipas ligjit, por sipas xhepit dhe lidhjeve?

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit