Një aksident i rëndë në vendin e punës ka tronditur sot zonën industriale të Marcianise, Itali, pranë fabrikës së Coca-Cola-s. Tre persona kanë humbur jetën, disa të tjerë janë plagosur dhe një tjetër rezulton i zhdukur, sipas bilancit ende paraprak të autoriteteve.
Ngjarja ka ndodhur brenda ambienteve të kompanisë Ecopartenope, e specializuar në grumbullimin dhe përpunimin e mbetjeve. Sipas hetimeve të para, gjatë punimeve të mirëmbajtjes në impiante, ka ndodhur një shpërthim i fuqishëm në një depo që përmbante vajra të përdorur dhe lëngje të tjera të rrezikshme.
Shpërthimi është ndier deri në komunat përreth, ndërsa vala goditëse ka hedhur disa punëtorë disa metra larg. Njëri prej tyre ka ndërruar jetë në vend. Dy trupa të tjerë të pajetë janë gjetur mbi çatinë e një ndërtese brenda kompleksit industrial. Sipas agjencisë Ansa, mes viktimave është edhe pronari i kompanisë.
Shërbimet e emergjencës, përfshirë zjarrfikësit, policinë dhe autoambulancat, kanë ndërhyrë menjëherë në vendngjarje. Aktualisht nuk raportohet për rrezik zjarri apo dëme në strukturat përreth. Operacionet për kërkimin e të zhdukurit dhe sigurimin e zonës vijojnë.