Shpërthimi me tritol në banesën e deputetit demokrat Xhelal Mziu në Kodër-Kamëz ka ngjallur reagime politike nga opozita. Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e cilësoi ngjarjen si një akt të hapur terrorizmi shtetëror, me qëllim për të heshtur opozitën.
Në një deklaratë për mediat, i shoqëruar nga Mziu, Berisha tha se përgjegjësia bie mbi kryeministrin Edi Rama:
“Sot unë jam këtu me deputetin Xhelal Mziu për të denoncuar një akt terrorizmi shtetëror ndaj deputetit dhe familjes së tij. Banesa e deputetit Xhelal Mziu, duke qenë brenda në banesë, është sulmuar me tritol nga banditë shtetërore. Bandat janë sot pronë totale e shtetit. Masa e eksplozivit ka qenë e konsiderueshme dhe ka krijuar dëme edhe në zonën përreth. Ky akt vjen pas qëndrimit të djeshëm antikushtetues të kreut të organizatës kriminale ndaj parlamentit dhe opozitës. Ky akt ka vetëm një synim, të mbyllë gojën e opozitarëve. Për të gjitha këto, e garantoj Edi Ramën se do mbajë përgjegjësi maksimale”, deklaroi Berisha.
Nga ana e tij, deputeti Xhelal Mziu e quajti sulmin një hakmarrje politike, duke e lidhur drejtpërdrejt me qëndrimet e tij opozitare:
“Ngjarja nuk është rastësore dhe përfaqëson një sinjal të qartë nga qeveria për të frikësuar dhe goditur zërat opozitarë. Nuk kam konflikte personale, borxhe apo çështje të hapura, ndaj përjashtoj çdo motiv tjetër përveç politikës”, u shpreh Mziu.
Shpërthimi, që ndodhi mbrëmjen e kaluar, sipas Berishës ka shkaktuar jo vetëm dëme në banesën e Mziut, por edhe në zonën përreth.