Kryeministri Edi Rama ditën e sotme foli për kritikat ndaj ndërtimeve pa leje, duke ia lënë fajin inspektorëve që nuk arrijnë të dallojnë pesë kate të paligjshme në qendër të Tiranës, teksa në Dajt “pikasin” edhe rastet më të vogla.
Ai vuri në pah kontrastin absurd mes qytetarëve të zakonshëm që ndëshkohen për ndërtime minimale dhe ndërtimeve të mëdha që për vite janë toleruar pa pengesa.
“Sikur të mblidheshin gjithë fshatarët që policia u ka vënë gjoba personale apo shtetërore për një avlli, do bëhej mitingu më i madh pas atij për pritjen e Zhou Enlait. Një burrë 90 e kusur vjeç përfundoi në prokurori e gjykatë si ndërtues pa leje për një riparim matanë Dajtit. Ndërkohë në mes të Tiranës, Syri i Tiranës ka 4 a 5 kate pa leje,” u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se mesazhi që përcillet sot është i qartë: Askush nuk qëndron mbi ligjin, pavarësisht pushtetit apo emrit në botën e ndërtimit.
“Sado të madh ta kesh emrin në botën e ndërtimit dhe sado të madh ta kesh pallatin me shkelje, shteti është më i madh se ty dhe nuk e gëzon dot më atë ndërtim,” tha ai.