Atentati i ish-prokurorit Ndoji, i akuzuari Dervishaj-dëshmitarit: Po ti ç’a do këtu?

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 19.09.2025, 15:40

Sot, në sallën e gjyqit, ka dëshmuar Plarent Dervishaj, i akuzuar për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoji. Në këtë ngjarje, Ndoji mbeti i plagosur, ndërsa shoferi i tij, Andi Maloku, humbi jetën. Seanca ka qenë e tensionuar, me pyetje dhe kundërpyetje mes të akuzuarit, avokatëve dhe dëshmitarëve.

Dervishaj, i drejtuar trupës gjykuese, ka shprehur dyshimin e tij mbi bazën e dëshmive që po merren parasysh në proces:

“Dëgjova prokurorinë, dëgjova edhe dëshmitarin, tani a mund të jeni të qartë, se cilën do të marrim për bazë: atë që ka thënë atëherë apo atë që thotë tani?”

Seanca vijoi me dëshmitë e disa personave të tjerë që kanë dijeni për ngjarjen ose për personat e përfshirë. Njëri prej tyre ishte Bujan Deliallisi, ish-zëvendësdrejtori i Policisë së Durrësit, i cili u paraqit para gjykatës si ekspert i procedurave të hetimit të krimeve. Ai deklaroi:

“Unë jam zv.drejtor i policisë për hetimin e krimeve në policinë e Durrësit. Më herët kam pasur detyra në drejtorë të tjera. Kam marrë pjesë në operacionin për arrestimin e Ramazan Rrajës në 2023. Nuk e mbaj mend për çfarë akuzohej. Në atë kohë kemi bërë ndërhyrjen pasi ai ishte në kërkim.”

Pas dëshmisë së tij, ndërhyri Plarent Dervishaj, duke pyetur në mënyrë të drejtpërdrejtë lidhur me rolin e dëshmitarit në këtë çështje:

“Bëj pyetjet, tamam: ç’punë ka arrestimi i atij, si e ka emrin, në këtë proces gjykimi? Kur u arrestua Ramazan Rraja, u gjet një armë.”

Avokati i të akuzuarit, Ilia Ilia, u shpreh gjithashtu:

“Nuk e kuptojmë çfarë lidhje ka ky dëshmitar me akuzën objekt gjykimi. Nuk kam çfarë t’i them.”

Dervishaj nuk i ndali komentet e tij dhe iu drejtua edhe një personi tjetër të pranishëm në sallë:

“Kam hall mos mërzitet Visi që ke ardhur këtu sot, nuk të takon ty me ardh këtu sot, dakord? Nuk do mbash t’i hallet e dynjasë. Nuk ke lidhje fare të vish të dëshmosh këtu.”

Seanca ka vijuar me shqyrtimin e dëshmive të tjera, ndërkohë që gjyqtari dhe prokurorët po përpiqen të përcaktojnë lidhjen e çdo dëshmitari me ngjarjen dhe me provat që mund të ndikojnë në vendimin përfundimtar. Ngjarja mbetet një nga rastet më të ndjeshme të viteve të fundit, për shkak të përfshirjes së ish-prokurorit dhe humbjes tragjike të jetës së shoferit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit