Në shkurt të këtij viti, JOQ Albania solli përpara shqiptarëve historinë e trishtë, por edhe të fortë të Rozalindës, vajzës 22-vjeçare që u përball papritur me një sëmundje të rrallë dhe të rëndë ‘Neurofibromatozë’. Në trupin e saj ndodheshin plot 18 tumore, mes tyre edhe dy në kokë.
Në atë kohë, Rozalinda iu drejtua shqiptarëve për ndihmë, dhe brenda vetëm 24 orësh zemërgjerësia e njerëzve arriti të mblidhte shumën e nevojshme për ndërhyrjen. Ajo u nis drejt Spanjës, por operacioni nuk shkoi sipas pritshmërive. Prekja e njërit prej tumoreve i shkaktoi paralizë, duke e lënë të palëvizshme në gjithë trupin, përveç syve dhe pak buzëve.
Në gusht, nëna e saj, e dëshpëruar por plot shpresë, iu drejtua sërish shqiptarëve përmes JOQ Albania, duke kërkuar ndihmë për t’i dhënë vajzës një tjetër shans për jetën. Dhe edhe këtë herë, solidariteti nuk mungoi.
Sot, nëna e Rozalindës na kontaktoi me një lajm që mbush me shpresë: vajza e saj ka dalë me sukses nga një ndër operacionet më të vështira dhe vendimtare. Në një mesazh të ngrohtë, ajo falënderon çdo shqiptar që kontribuoi, si edhe redaksinë e JOQ Albania për mbështetjen e vazhdueshme.
Falë kësaj përkrahjeje, Rozalinda ia doli të fitojë një betejë shumë të rëndësishme kundër tumorit. Hapi i radhës është fizioterapia një rrugë që shpresojmë ta kalojë me të njëjtin guxim dhe me mbështetjen e të gjithëve.
Mesazhi i plotë i mamasë së Rozalindës:
Faleminderim nga zemra
Në këtë rrugëtim kaq të vështirë për vajzën tonë Rozalindën, fjala “faleminderit” duket e vogël përpara gjithë asaj dashurie, mbështetjeje dhe solidariteti që kemi marrë. Sot, me shumë emocion, ndajmë me ju lajmin se Rozalinda ka dalë me sukses nga një operacion vendimtar në Gjermani, ku u godit një nga tumoret. Hapi tjetër do të jetë qendra e fizioterapisë, por sot kemi arsye të buzëqeshim e të shpresojmë edhe më shumë.
Një falenderim të veçantë dhe të përzemërt u drejtohet të gjithëve: Samy Dubai, Profesorit, Ziguri, Xhena, Babale, Klevis Celaj, Adi Grembi, Renato Alimucaj, Fabio Lalaj dhe shumë e shumë të tjerëve që hap pas hapi kanë kontribuar, janë interesuar dhe nuk na kanë lënë vetëm asnjë moment.
Një mirënjohje e madhe shkon për gjithë Shqipërinë, për çdo zemër shqiptare që na qëndroi pranë, dhe për mediat kryesore që u bënë zëri i kauzës sonë. Një falënderim i posaçëm për JOQ Albania që dha shumë për Rozalindën.
Nga zemra jonë: Faleminderit shumë, Shqipëri! 🙏❤