Detaje të reja janë zbuluar lidhur me shpërthimin e ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm pranë banesës së deputetit të Partisë Demokratike, Xhelal Mziu, në rrugën “Arjan Sala”. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se kamerat e sigurisë së banesës kanë qenë jashtë funksionit në momentin kur ndodhi shpërthimi i lëndës plasëse, çka ka vështirësuar hetimet.
Për këtë arsye, hetuesit kanë sekuestruar pamje filmike nga kamerat e bizneseve dhe banesave përreth, me qëllim identifikimin e autorit të vendosjes së tritolit.
Nga shpërthimi, i cili ndodhi rreth orës 00:55, fatmirësisht nuk pati të lënduar, por janë regjistruar dëme materiale në murin rrethues të banesës. Në momentin e ngjarjes, deputeti Mziu ndodhej në shtëpi së bashku me bashkëshorten e tij.
Në dëshminë e dhënë për policinë, Xhelal Mziu ka deklaruar se nuk ka dyshime konkrete mbi ndonjë person që mund të ketë lidhje me ngjarjen.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, dyshohet se shpërthimi ka qenë një formë paralajmërimi ose mesazhi, pasi sasia e tritolit ishte relativisht e vogël dhe ishte vendosur në pjesën e sipërme të murit rrethues, duke shmangur dëmet më të mëdha apo rrezikun për jetën.
Policia dhe Prokuroria po vijojnë hetimet për të identifikuar dhe arrestuar autorin e ngjarjes.