Ngjarja e rëndë e zbuluar sot në Këlcyrë ka tronditur opinionin publik, pasi është zbuluar abuzimi i përsëritur ndaj një 16-vjeçareje dhe njëkohësisht një skemë presioni financiar, në të cilën ishin të përfshirë persona të afërt me të miturën.
Burime bëjnë me dije se vajza, e cila prej kohësh ishte viktimë e abuzimit nga njerku i saj, ishte futur gjithashtu në një skemë shantazhi të orkestruar nga partneri i saj 46-vjeçar. Ky i fundit kishte siguruar një video kompromentuese ku shfaqej një efektiv policie dhe, përmes saj, i bëhej presion me kërkesa për shuma të majme parash.
Efektivi i policisë i shfaqur në video është identifikuar si Artur Ago, i cili tashmë është shpallur në kërkim. Pas publikimit të pamjeve ditën e djeshme, Ago ka braktisur detyrën dhe është arratisur drejt Greqisë. Ai ka kaluar pasditen e djeshme nga pika kufitare e Kakavijës, menjëherë sapo kuptoi se videoja kishte dalë në media.
Sipas burimeve të policisë, menjëherë pas publikimit të ngjarjes, është ngritur një grup i posaçëm hetimor që po ndjek të gjitha pistat për kapjen e tij, ndërkohë që është njoftuar edhe pala greke për ndihmë dhe bashkëpunim ndërkombëtar.
Ky skandal ka sjellë reagime të forta në komunitet, ku banorët e Këlcyrës shprehen të tronditur nga fakti që një e mitur është lënë për kaq kohë viktimë e abuzimit, ndërkohë që në skemë rezulton i përfshirë edhe përfaqësues të rendit. Ngjarja ka hedhur hije të rënda dyshimi mbi mekanizmat e mbrojtjes së fëmijëve, por edhe mbi kontrollin dhe integritetin e uniformave blu.
Hetimet po vijojnë, ndërsa autoritetet pritet të japin sqarime të mëtejshme në ditët në vijim.