Tani është zyrtare. José Murinjo është trajneri i ri i Benfikës. Klubi portugez konfirmoi marrëveshjen këtë të enjte, duke rikthyer një nga emrat më të mëdhenj të pankinës në klubin ku nisi historia e tij si teknik.
“Benfika njofton se ka arritur një marrëveshje me trajnerin Zhoze Mario dos Santos Murinjo Feliks për të nënshkruar një kontratë pune sportive deri në fund të sezonit 2026-2027. Për më tepër, 10 ditë pas ndeshjes së fundit zyrtare të sezonit 2025-2026, në të njëjtat kushte, si Benfika ashtu dhe trajneri kanë mundësinë të zgjedhin të mos e rinovojnë kontratën për sezonin 2026-2027”, thuhet në deklaratën e klubit.
62-vjeçari vjen pas eksperiencës me Fenerbahçen, ku u largua menjëherë pas eliminimit pikërisht nga Benfika në Champions. Ironia e futbollit e vendos sot në krye të tyre, pas shkarkimit të Bruno Lage.
Për Murinjon ky është një rikthim me shije të veçantë. Pikërisht te Benfika nisi rrugëtimi i tij si trajner, ndërsa më pas shkroi histori të artë me Porton, Interin, Çelsin, Real Madridin, Manchester United, Romën dhe së fundmi Fenerbahçen.
Një karrierë me trofe, drama dhe spektakël, që tani ka një kapitull të ri aty ku gjithçka mori jetë.