Një operacion rutinë për arrestimin e një personi të dënuar më parë në Korçë u kthye për pak në një situatë serioze rreziku për jetën e punonjësve të policisë. Renato Lipe, 26 vjeç, me precedent penal dhe i konsideruar me rrezikshmëri të lartë, kërcënoi efektivët që shkuan ta ndalonin në banesën e tij.
Burime pranë policisë bëjnë me dije se i riu refuzoi të hapte derën dhe filloi të kërcënojë me armë oficerët e policisë që ndodheshin në mision zyrtar. Pistoleta që mbante kishte fishek të vendosur në fole dhe ishte gati për të qëlluar.
Situata u përshkallëzua deri në ndërhyrjen e forcave të specializuara, të cilët, pas thirrjeve të përsëritura, arritën ta neutralizonin Lipen pa shkaktuar viktima. Gjatë arrestimit, në banesën e tij u gjet një armë zjarri tip pistoletë me fishek të vendosur në fole, si dhe municion tjetër luftarak. Ai kishte qenë më parë i dënuar për armëmbajtje pa leje dhe dyshohet se armën e kishte siguruar në mënyrë të paligjshme.
Rasti i Renato Lipes është një sinjal alarmi për nevojën e mbikëqyrjes më të rreptë ndaj individëve me të shkuar kriminale, që përbëjnë kërcënim të vazhdueshëm për rendin dhe sigurinë publike.