Prej një jave, rruga e Dukagjinit në Shkodër është e bllokuar pas një shembje dheu, duke krijuar shqetësim të madh për banorët e zonës. Pavarësisht situatës emergjente, as Bashkia dhe as firma përgjegjëse për mirëmbajtjen nuk kanë ndërhyrë për të zhbllokuar rrugën.
Sipas banorëve, arsyeja e mosveprimit është mungesa e fondeve shtesë. Ata thonë se nëse do të përdoreshin vetëm dy eskavatorë dhe punimet do të kryheshin brenda 24 orëve dhe rruga mund të hapej pa probleme.
Banorët e zonës detyrohen të kalojnë çdo ditë në një rrugë të pasigurt, duke rrezikuar jetën e tyre për të arritur në punë apo në shtëpi. Siç shihet dhe nga pamjet filmike banorët duken të ulur duke lëvizur zvarrë. Situata ka krijuar zemërim dhe shqetësim të madh, ndërsa ata kërkojnë ndërhyrje urgjente për të garantuar sigurinë e qarkullimit.
Banorët shprehin pakënaqësi për vonesën dhe presin që autoritetet lokale të gjejnë një zgjidhje, pasi kjo rrugë mund të kthehet në një tragjedi për ta.
Denoncimi i qytetarit:
Përshëndetje, ju lutem publikojeni po patët mundësi. Prej një jave rruga e Dukagjinit në Shkodër është e bllokuar si pasojë e një shembje dheu, Bashkia dhe firma që po kryejnë punimet nuk kanë ndërhyrë se thonë duhet të krijoj qeveria një fond, thjeshtë nuk duan të kryejnë punime pa marr ndonjë fond shtesë. Po të ndërhyhet për 24 orë, 2 eskavatorë rruga zhbllokojet. Banorët po rrezikojnë jetën çdo ditë për të kaluar aty se jetojnë dhe punojnë në ato zona.
Faleminderit, ju lutem anonim.