Champions-i rikthehet sonte me një natë që premton gola, drithërim dhe përballje të zjarrta. Në fokus janë ndeshjet që mund të përcaktojnë tonin e grupeve dhe të sjellin surpriza të mëdha për tifozët.
Në “Etihad Stadium”, Manchester City pret Napolin e Contes. Kampionët e City-t kërkojnë të konfirmojnë dominimin edhe këtë sezon, me Haaland si “armën e shkatërrimit”. Napoli, me lojtarë të talentuar dhe një stil sulmues si dhe rikthimin e Kevin De Bruyne që i jep ekipit kreativitet dhe vizion, do të luftojë për të befasuar dhe treguar se mund të përballojë skuadrat më të forta të Europës.
Në Angli, “St. James’ Park” do të kthehet në një skenë presioni dhe emocionesh për Barcelonën që viziton Newcastle-n. “Magpies” po rikthehen në elitë dhe kanë treguar se dinë të luajnë me ritëm të lartë dhe energji fizike. Katalanasit, pa talentin e ri Yamal, do të mbështeten te eksperienca e Lewandowskit për të marrë pikët e para, por nuk do të jetë aspak e lehtë përballë një skuadre të motivuar dhe të mbështetur nga tifozët e zjarrtë.
Përveç këtyre dueleve, mbrëmja ofron sfida interesante edhe në transfertat e tjera: Leverkusen përballet me Kopenhagenin në një duel që pritet i barabartë, Frankfurt pret Galatasaray-in në një ndeshje me intensitet të lartë, ndërsa Sportingu shihet favorit ndaj Kairat në Lisbonë. Çdo ndeshje sjell emocione, dhe çdo gol mund të ndryshojë ekuilibrat e grupit.
Një natë Champions-i, si gjithmonë, ku spektakli dhe emocionet nuk mungojnë, dhe tifozët do të mbeten të lidhur pas ekranit deri në minutën e fundit.