Ekzekutimi mafioz i biznesmenit Bujar Nasufit në Selitë dyshohet të jetë pasojë e një konflikti pronësie mes familjes së tij dhe fqinjëve Xhani. Sipas hetimeve, “molla e sherrit” ishte trualli i një banese që i përkiste dikur babait të Nasufit, por më pas ishte shitur tek familja Xhani.
përshkallëzimi i situatës ndodhi në momentin e shpronësimeve për ndërtimin e Unazës së Madhe, kur kompensimi prej rreth 30 mijë eurosh iu kalua familjes Nasufi dhe jo dy vëllezërve Xhani. Gjë e cila çoi në ndezjen e një konflikt të hapur mes dy familjeve.
Hetimet kanë çuar në identifikimin e dy personave që dyshohet se kanë porositur atentatin ndaj Nasufit: vëllezërit Voltan dhe Jugert Xhani.
Ata nuk lidhen vetëm me këtë ngjarje kriminale, por edhe me ekzekutimin e Elis Roshkodolit në Shkodër, më 30 gusht 2024. Roshkodoli u qëllua me 14 plumba automatiku, teksa po pinte kafe me një mik në lagjen “Ahmet Haxhia”.
Kapja e dy vëllezërve u bë në mënyrë sa rastësore aq dhe spektakolare, teksa po drekonin në një restorant në Gjirin e Lalzit, në shoqërinë e disa personazheve me rrezikshmëri të lartë të botës së krimit. Ata ishin mes 7 personave të arrestuar nga forcat RENEA më 23 maj 2025, gjatë një operacioni që synonte kapjen e të shumëkërkuarit Xhevdet Plaku apo siç njihet me pseudonimin “Akili”, por përfundoi me rezultate edhe më të mëdha.
Sipas hetimeve, Voltan Xhani, me origjinë nga Përmeti, është i dyshuari kryesor për organizimin dhe sigurimin e kushteve për vrasjen e Elis Roshkodolit. Ndërsa i vëllai, Jugert Xhani, akuzohet për veprat penale “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit”, “moskallëzim krimi” dhe “përkrahje e autorit të krimit”.
Për ngjarjen e Shkodrës, Voltan Xhani ishte shpallur në kërkim, ndërsa nipi i tij, Xhulio Malo, u arrestua për sigurimin e kushteve për të kryer vrasje dhe për pengim të zbardhjes së së vërtetës.