Një aksident i rëndë ka ndodhur sot në lagjen “Skënderbeg” të Shkodrës, pranë Fakultetit të Infermierisë, ku një grua ka mbetur e plagosur rëndë pas përplasjes së dy automjeteve.
Sipas dëshmitarëve, një automjet që lëvizte me shpejtësi të lartë është përpjekur të shmangte një punëtore të një klinike private, e cila ndodhej pranë një koshi plehrash. Në tentativë për ta evituar, drejtuesi i makinës ka goditur fillimisht kalimtaren, e më pas është përplasur me një tjetër automjet.
Përplasja ka qenë e fuqishme, duke shkaktuar dëmtime të rënda për gruan, e cila u transportua me urgjencë drejt spitalit. Ende nuk ka informacion zyrtar mbi gjendjen e saj shëndetësore.
Dëshmitarët e ngjasrjes teksa tregojnë momentin e përplasjes, shtojnë se segmenti nga sheshi “Prekë Cali” deri tek rrethrrotullimi i zjarrfikësve është shndërruar në një pistë gare për automjetet që qarkullojnë me shpejtësi, duke rrezikuar seriozisht jetën e kalimtarëve. Policia ndodhet në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e aksidentit.