Çmendet polici bashkiak në Himarë, godet me levë qytetarin më pas i dhunon familjarët

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 18.09.2025, 14:13

Një ngjarje e rëndë dhune është shënuar në Himarë, ku një qytetar është sulmuar brutalisht nga një efektiv i Policisë Bashkiake. Viktima, shtetasi Andi Hoxha, është dhunuar para banesës së tij nga Albano Baraj, punonjës i policisë bashkiake, i cili sipas denoncimit të familjes kishte pasur më herët një konflikt me të.

Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë, para syve të familjes së Hoxhës. Sipas dëshmive të pranishmëve, ai është goditur disa herë me levë në kokë dhe trup, duke humbur ndjenjat dhe duke rrezikuar seriozisht jetën.

Sulmi nuk është ndalur vetëm te viktima. Bashkëshortja e tij, e cila është në pritje të një fëmije, si dhe nëna e tij 80-vjeçare, janë keqtrajtuar gjithashtu teksa përpiqeshin ta mbronin. Familjarët e Hoxhës tregojnë se, pavarësisht thirrjeve të shumta, në vendngjarje nuk mbërriti Policia e Shtetit, por vetëm autoambulanca.

“Pas sulmit, autori i njohur si person i përsëritur në akte dhune nuk u shoqërua dhe as u ndalua nga policia, por përkundrazi u pa duke u paraqitur normalisht në vendin e punës në Bashkinë Himarë. Ky fakt ngre dyshime të forta për favorizim dhe komprometim nga ana e Policisë së Shtetit në Himarë, e cila deri më sot nuk ka marrë asnjë masë ndaj autorit”, njofton familja e Andi Hoxhës.

Gjendja shëndetësore e të dhunuarit mbetet e rënduar. Fillimisht ai u nxor nga spitali vetëm dy orë pas daljes nga koma, por pak më vonë u detyrua të rikthehej me urgjencë pas një kolapsi në rrugë. Aktualisht ai ndodhet nën trajtim në spitalin e Vlorës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit