Franca sot është kthyer në një skenë të gjallë rezistence qytetare. Afër 900 mijë vetë janë hedhur në rrugë, duke kërkuar paga më të larta, pensione më të denja dhe shërbime publike që funksionojnë. Sindikatat kanë organizuar 250 marshime në gjithë vendin, duke paralizuar shkollat, trenat, fluturimet ajrore dhe madje edhe monumentet e famshme. Kulla Eiffel është mbyllur, ndërsa Louvre, Musée d’Orsay dhe muze të tjerë kanë ulur qepenat. Përballë këtij presioni, qeveria franceze është detyruar të mobilizojë 80 mijë policë.
Ky mobilizim nuk është një kapriço politike, por një betejë për jetesën e përditshme. Francezët nuk presin ftesë nga partitë, as nuk dalin për të mbrojtur liderët e radhës. Ata dalin sepse u preket buka, pensioni, shërbimi shëndetësor. Kujtojmë vitin 2023, kur miliona protestuan kundër vendimit të Macron për të rritur moshën e pensionit pa miratim parlamentar.
Në krahun tjetër të medaljes jemi ne, shqiptarët. Këtu sheshet mbushen vetëm kur thërret partia. Për çmimet në stratosferë, për pensionet qesharake, për ujin që mungon, për shëndetësinë që të lë rrugëve, për arsimin që po zbraz klasat heshtje. Nëse nuk ka flamuj blu, të kuq ose të rinj me logo të re, qytetari i zakonshëm rrallë e sheh veten në protestë.
Është një kontrast i dhimbshëm: në Francë, qytetarët paralizojnë vendin për të mbrojtur jetesën e tyre; në Shqipëri, qytetarët durojnë çmime të papërballueshme dhe shërbime publike të dështuara, por dalin në rrugë vetëm kur thirret mitingu partiak. Një realitet që flet shumë për shoqërinë tonë dhe për mënyrën si kemi mësuar të heshtim për hallet tona, por të brohorasim për hallet e politikanëve.