Mijëra mësues, punonjës transporti, staf spitalor, farmacistë dhe punonjës të sektorit publik kanë hyrë sot në grevë në Francë, ndërsa vendi përballet me një nga ditët më të mëdha të protestës në vitet e fundit. Rreth 800,000 protestues priten në rrugët e qyteteve franceze, në një valë pakënaqësie të nxitur nga planet për shkurtime buxhetore dhe pakënaqësia në rritje me kushtet e punës, pagat, pensionet dhe shërbimet publike.
Kjo valë grevash shënon një bashkim të rrallë të sindikatave, të cilat po ushtrojnë presion mbi kryeministrin e ri, Sébastien Lecornu, për të ndryshuar kursin e qeverisë.
Transporti publik, shkollat dhe aeroportet janë ndër më të prekurit.
Që në orët e para të mëngjesit, disa stacione autobusi dhe shkolla u bllokuan në Paris, Amiens, Le Havre dhe zona të tjera, ndërsa shërbimet hekurudhore u ndërprenë në të gjithë vendin. Për të garantuar sigurinë, qeveria ka vendosur 80,000 efektivë policie në të gjithë territorin francez.
Në të gjithë vendin janë organizuar rreth 250 marshime, të cilat sipas sindikatave synojnë të ndalojnë politikat e ashpra të kursimit dhe të rikthejnë prioritetin tek qytetarët dhe punëtorët.
Protestat vijnë në një klimë të tensionuar politike, pasi Presidenti Emmanuel Macron ka emëruar së fundmi kryeministrin e tretë brenda një viti. Lecornu zëvendësoi centristin François Bayrou, i cili u rrëzua pas dështimit për të kaluar një projekt-buxhet kontrovers prej 44 miliardë eurosh.
Sindikatat paralajmërojnë se zemërimi popullor është i thellë, dhe nëse qeveria vazhdon me shkurtimet në sistemin e mirëqenies dhe hesht ndaj kërkesave për politika më të drejta sociale, protestat mund të intensifikohen. Ndërkohë, opozita po përgatitet për çdo skenar. Socialistët kanë paralajmëruar mundësinë e një mocioni mosbesimi nëse kryeministri i ri nuk tregon gatishmëri për të dëgjuar.
Franca përballet jo vetëm me një krizë sociale, por edhe me sfida ekonomike të thella: borxhi publik ka arritur në 114% të PBB-së, ndërsa agjencia “Fitch” ka ulur vlerësimin e saj të kreditit për vendin, për shkak të paqëndrueshmërisë politike.
Në këtë sfond, Lecornu ka vetëm disa javë kohë për të formuar një qeveri të re dhe hartuar një buxhet që të mos rrëzohet në Parlament. Por ndërkohë, rrugët e Francës i kujtojnë se besimi i qytetarëve është në pikën më të ulët – dhe durimi gjithashtu.