JOQ publikoi sot disa pamje shqetësuese nga konviktet e Qytetit Studenti, ku studentët janë përballur me një situatë kaotike dhe dhunë gjatë regjistrimit për akomodim. Në video, shihet qartë tensioni mes policisë dhe studentëve që kërkonin të siguronin një dhomë për të kaluar vitin akademik.
Ata janë detyruar të presin orë të tëra, dhe disa janë dëbuar me dhunë nga policia, pa asnjë sqarim, vetëm për faktin se kërkuan një mundësi për të jetuar në këto konvikte. Pas kësaj ka ardhur deklarata e Rezidencës Studentore Universitare Nr.1.
Në reagim thuhet se ka patur fluks ndaj është krijuar tensioni, por kjo nuk e justifikon forcën e policisë mbi studentë. Njoftimi është i orientuar për të dhënë një pamje të mirë përpara publikut, por nga një perspektivë praktike, duket se ka një hendek të madh mes numrit të studentëve që kërkojnë akomodim dhe kapaciteteve që janë aktualisht të disponueshme.
Deklarata e Rezidencës Studentore Universitare Nr.1:
Rezidenca Studentore Universitare Nr. 1 njofton se, gjatë ditës së sotme, u evidentua një fluks i pazakontë aplikimesh për regjistrim në Godinën Nr. 3, e cila sapo është rikonstruktuar me standarde bashkëkohore. Ky objekt ofron një kapacitet prej 61 vende (30 dhoma dyshe + 1 vend për persona me aftësi ndryshe), ndërkohë që numri i aplikantëve arriti në rreth 300 studentë, duke shkaktuar momente tensioni gjatë procesit të regjistrimit.
Godina Nr. 3 është pjesë e Projektit të Rikonstruksionit të Godinave të Qytetit Studenti me Efikasitet Energjetik, financuar nga Banka Gjermane për Zhvillim (KfW) dhe Bashkimi Evropian.
Faza e parë e projektit ka përfunduar me rikonstruksionin e pesë godinave.
Faza e dytë, që pritet të nisë në një periudhë të afërt, përfshin rikonstruksionin e 14 godinave të tjera.
RSU Nr. 1 siguron se kapacitetet e përgjithshme akomoduese janë të mjaftueshme për të plotësuar kërkesat e të gjithë studentëve. Aktualisht janë të disponueshme hapësira banimi në godinat 24, 25, 26, 27, 28 dhe 29, të cilat ofrojnë kushte të rregullta jetese dhe shërbimet e nevojshme për një akomodim dinjitoz.