Një qytetar që jeton pranë varrezave të Tufinës ka ngritur një shqetësim përmes një video-mesazhi dërguar redaksisë sonë. Ai denoncon praninë e një punishteje mermeri e ngritur mes dy rrugëve, e cila, sipas tij, po kthehet në burim ndotjeje dhe shqetësimi të vazhdueshëm për banorët.
Punishtja, përveç se ka ndryshuar pamjen e lagjes, raportohet se prodhon sasi të mëdha pluhuri e mbetjesh që përhapen në ajër dhe përbëjnë rrezik për shëndetin publik. Një tjetër problem i theksuar është edhe niveli i lartë i zhurmës që krijohet nga makineritë, duke e bërë të vështirë jetesën e përditshme të banorëve aty pranë.
Banorët kërkojnë që institucionet përkatëse të ndërhyjnë sa më parë, duke hetuar legjitimitetin e kësaj punishtjeje dhe duke marrë masa për ndalimin e ndotjes së mjedisit dhe zhurmës së vazhdueshme që u ka shkatërruar qetësinë.