Të paktën 50 emigrantë dyshohet se kanë humbur jetën gjatë një udhëtimi 11-ditor nga Senegali drejt Ishujve Kanarie, pasi kontrabandistët e njerëzve i torturuan, i vranë dhe i hodhën në det. Policia spanjolle ka arrestuar 19 persona të dyshuar për trafik të paligjshëm emigrantësh, vrasje dhe tortura.
Sipas dëshmive tronditëse të të mbijetuarve, rreth 30 pasagjerë u hodhën të gjallë në oqean, pasi trafikantët i akuzuan se kishin sjellë "fatkeqësi" duke përfshirë defekte të motorit, mot të keq dhe mungesë ushqimi, në bord. Këta persona u konsideruan “shpirtra të këqij”, ndërsa të tjerë u vranë sepse guxuan të ankoheshin për kushtet çnjerëzore në anije.
Anija me 248 persona u shpëtua më 24 gusht në jug të Gran Canarias, por dëshmitarët thanë se në nisje ishin rreth 300 vetë. Policia njoftoi se viktimat u dhunuan, u lanë pa ndihmë në det, dhe disa u shtynë me forcë në ujë. Një emigrant vdiq më pas në spital.
Të arrestuarit, shumica shtetas senegalezë, ndodhen në paraburgim dhe po hetohen për imigracion të paligjshëm, vrasje dhe torturë.
Rruga atlantike Senegali–Kanarie mbetet një nga më të rrezikshmet në botë. Vetëm në vitin 2024, mbi 46,000 emigrantë arritën në ishujt spanjollë, ndërsa mijëra të tjerë kanë humbur jetën në përpjekje për të arritur në Europë.