Princ Dobroshi, i njohur si "Peshkaqeni", u dënua me 13 vite burg nga Gjykata e Landit në Hamburg për organizimin e një operacioni të madh trafikimi droge. Ai ishte përgjegjës për kontrabandimin e dhjetë ton kokainë nga Amerika e Jugut dhe Qendrore, e cila u transportua nëpërmjet portit të Hamburgut dhe përfundoi në tregjet e Evropës.
Dobroshi, i arrestuar pas dekriptimit të komunikimeve të tij në EncroChat, ka një histori kriminale prej më shumë se 30 vitesh dhe ka qenë i përfshirë në trafikimin ndërkombëtar të drogës që nga vitet 1990. Në procesin gjyqësor, gjykata mori parasysh rolin udhëheqës të Dobroshit dhe sasinë e jashtëzakonshme të drogës që ai organizoi të kalonte nëpërmjet porteve të Hamburgut.
Megjithëse fillimisht gjyqi do të zgjaste deri në 2026, ai e pranoi fajin dhe rrëfeu detaje për operacionin, duke çuar në një ulje të mundshme të dënimit. Rrjeti kriminal që ai drejtonte përfshinte punonjës të portit dhe një logjistikë komplekse që mbulonte transportin dhe shpërndarjen e mallrave, shkruan gazeta gjermane Bild.
Shteti gjerman do të konfiskojë gjithashtu pasuritë e Dobroshit, duke përfshirë 8,2 milionë euro, si pjesë e dënimit të tij. Ky është një tjetër hap drejt zbulimit të burimeve të pasurisë së fituar nga aktivitetet e paligjshme të trafikantëve të drogës. Pasuria e tij, përfshirë 2,5 milionë euro që u sekuestruan në vitin 2020, do të shërbejë si kompensim për dëmin e shkaktuar nga aktiviteti kriminal i tij.