Vdekja nga rryma elektrike s’tremb institucionet, fëmijët në Tiranë luajnë mbi kabuj

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 18.09.2025, 12:25

Vetëm pak ditë më parë, një ngjarje tragjike tronditi Durrësin: 43-vjeçari Bardhyl Kaloshi, baba i tre fëmijëve, humbi jetën në mënyrë të tmerrshme pasi ra në kontakt me energjinë elektrike, ndërsa përpiqej të kalonte një rrugë të përmbytur nga reshjet.

Për të ruajtur ekuilibrin, Kaloshi u mbajt pas një shtylle elektrike, e cila fatkeqësisht kishte telat e zhveshur. Ai u godit nga rryma dhe vdiq në vend. Banorët e zonës thonë se prej kohësh kishin ngritur alarmin për rrezikun që përfaqësonin shtyllat elektrike të dëmtuara, por institucionet përkatëse si Bashkia dhe OSHEE nuk morën asnjë masë.

Por kjo situatë, ku energjia elektrike ndodhet e pranishme kudo dhe e pasiguruar për qytetarët, kalimtarët apo fëmijët, është e pranishme kudo.

Në redaksinë tonë ka mbërritur një tjetër denoncim, këtë herë nga Tirana, që tregon se situata e pasigurisë nga kabujt elektrikë të ekspozuar është e pranishme edhe në vende ku rreziku duhet të ishte zero: parqet e fëmijëve.

Denoncimi vjen nga parku i njohur si “7 Xhuxhat”, pranë Rrugës së Elbasanit, një zonë e frekuentuar çdo ditë nga mijëra qytetarë dhe qindra fëmijë.

Në pamjet e siguruara nga një qytetar, duken qartë kabuj elektrik të ekspozuar dhe të vendosur në mënyrë të pasigurt, brenda shatërvanit me ujë, por edhe mbi rrugë, duke përbërë një rrezik të drejtpërdrejtë për jetën e kalimtarëve dhe veçanërisht të fëmijëve që luajnë aty.

Ngjarja tragjike në Durrës duhej të shërbente si një kambanë alarmi për institucionet, por pamjet e ardhura nga Tirana tregojnë të kundërtën. Rreziku është real, i prekshëm dhe i shpërfillur.

Jetët e qytetarëve nuk mund të varen nga rastësia. Është koha që institucionet përgjegjëse të marrin masa të menjëhershme për të eliminuar çdo burim të rrezikut potencial. Sot është një kabull në një park. Nesër mund të jetë një tjetër jetë e humbur.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit