Qeveria “Rama 4” ka nisur mandatin e katërt me një paketë premtimesh ambicioze për të rritur pagën minimale në 500 euro dhe për të përmirësuar pensionet dhe një sërë premtimesh të tjera që ka gjasa të mbeten vetëm të tilla. Për qytetarët e zakonshëm, realiteti është ndryshe. Inflacioni i gushtit 2025, sipas Eurostat, është në 2.3%, me çmime që janë rritur më shumë se 9% për “Argëtim dhe kulturë”, 3.6% për “Hotele, kafene dhe restorante” dhe 1.7% për ushqimet dhe pijet joalkoolike.
Në një kohë kur pagat nuk e mbajnë ritmin me rritjen e çmimeve, qytetarët me të ardhura të ulëta janë të detyruar të përballen me një realitet të hidhur, ku premtimet e qeverisë duken gjithnjë e më të largëta. Ndërsa Rama premton mbrojtje të pronës, fadromat e IKMT-së kanë nisur të shkatërrojnë shtëpi dhe bujtina në zonat malore të veriut, ku banorët kanë investuar kursimet e tyre ose kanë marrë kredi për t’i ndërtuar. Kryeministri ka ftuar shqiptarët të investojnë në tokat e tyre, por këta të fundit i ka etiketuar si kriminelë dhe zaptues për ndërtimet që ata bënin.
Kjo kontradiktë mes premtimeve dhe realitetit ka shkaktuar pakënaqësi tek banorët. Pas 12 vitesh në pushtet, qeveria “Rama 4” përballet me një balancë të pabarabartë mes premtimeve për përmirësimin e jetës dhe shërbimeve dhe realitetit të përditshëm të qytetarëve. Inflacioni në rritje, ndërhyrjet brutale të fadromave kanë bërë që shpresat për një jetë më të mirë të shuhen. Në një kohë kur pagat dhe pensionet janë ende larg nivelit të pritshëm, qytetarët janë të detyruar të përballen me një krizë të vazhdueshme të jetesës, ndërsa premtimet për përmirësim mbeten boshe.