Përplasja për një pronë në zonën e Selitës dyshohet të jetë bërë shkaku kryesor i ekzekutimit mafioz të biznesmenit Bujar Nasufi, i cili u vra me armë zjarri në janar të këtij viti, pranë banesës së tij dhe në sy të bashkëshortes.
Trualli në fjalë, dikur në emër të babait të Nasufit, ishte shitur tek familja Xhani, fqinjët e tyre. Megjithatë, sipas dokumentacionit zyrtar, prona vijonte të figurojë në emër të Nasufit. Kur ndërhyrja për ndërtimin e Unazës së Madhe solli shpronësimin e territorit, kompensimi financiar në vlerën e rreth 30 mijë eurove përfundoi në llogarinë e familjes Nasufi duke ndezur konfliktin mes dy familjeve.
Hetimet e deritanishme kanë çuar në identifikimin e dy personave që dyshohet se qëndrojnë pas porositjes së atentatit: vëllezërit Voltan dhe Jugert Xhani. Ata akuzohen si organizatorë të vrasjes së 56-vjeçarit, i cili u ekzekutua ndërsa po parkonte makinën pranë shtëpisë së tij.
Krimi mendohet të jetë kryer nga një vrasës me pagesë, i cili kishte veshje të zeza dhe ishte maskuar si shpërndarës picash. Autori ka qëlluar disa herë me armë zjarri, më pas ka djegur motorin dhe armën e krimit për të humbur gjurmët. Të dyja u gjetën më vonë nga policia.
Vëllezërit Xhani nuk janë emra të panjohur për autoritetet. Pak muaj më parë, ata u arrestuan nga forcat RENEA në një operacion në një restorant në Gjirin e Lalzit, ku ndodheshin në shoqërinë e personazheve të njohur të botës së krimit. Përveç porosisë së dyshuar për eliminimin e Bujar Nasufit, ata janë të hetuar edhe për përfshirje në ekzekutimin e Elis Roshkodolit në Shkodër, në gusht të vitit 2024.
Hetimet vijojnë për të zbuluar identitetin e saktë të ekzekutorit, ndërsa pista e përplasjes për pronën mbetet kryesore në zbardhjen e kësaj ngjarjeje tronditëse.