Në Shqipëri puna e mikut është kthyer në fenomen. Tashmë dhe konviktet zihen me mik. Pas rastit të konviktit të Mjekësisë, një rast dhune është regjistruar dhe në konviktet e Qytet Studenti. Në një video të mbërritur në redaksi shihet dhuna ndaj disa studentëve që kërkojnë një mundësi për të jetuar në këto konvikte.
Pas orëve të tëra pritje deri në orën 3 të mëngjesit, ku një pjesë e studentëve kishin shpresuar për të gjetur një dhomë, ata u dëbuan me dhunë, pa u dhënë asnjë sqarim dhe pa mundësi për të diskutuar vendimin. Sipas denoncimit vetëm 10 persona kanë përfituar qëndrim në konvikt, të tjerët janë nxjerrë forcërisht nga policia.
Ndërsa qeveria vazhdon të mburret me arritjet e saj, realiteti për studentët është krejtësisht ndryshe. Konviktet janë bërë me mik, policia i keqtrajton, Ministria e Arsimit bën sehir, qeveria mburret me fasada, teksa të rinjtë si pasojë e këtyre nepotizmave dhe indiferencës zgjedhin të largohen nga Shqipëria e cila po plaket dita-ditës.
Si mund të shpresojnë studentët për një të ardhme më të mirë në një shtet që i trajton ata si armiq? Si mund të qëndrojë një i ri në Shqipëri në një kohë që kudo duhet të futësh mik?
“Përshëndetje, JOQ! Sot, në konviktet e Qytetit Studentit, policia e shtetit ka përdorur dhunë për të nxjerrë studentët që kishin pritur deri në orën 3 të mëngjesit për të zënë një dhomë në konviktet e reja. Pas futjes së 10 personave, ata mbyllën derën dhe nuk dhanë asnjë sqarim, duke thënë se vendet janë zënë. Ndërkohë, thërrasin policinë për t'i nxjerrë studentët jashtë. Si do të veprojë ky shtet për popullin dhe studentët, të cilët dita-ditës po detyrohen të largohen nga ky vend?”, shkruhet në denoncim.