Në pyjet përgjatë rrugës që të çon drejt Fushë-Arrëzit po zhvillohet një krim i rëndë mjedisor. Persona ende të paidentifikuar kanë kthyer këtë zonë malore me bimësi të pasur në një landfill të paligjshëm, ku hidhen qese plastike, kartonë dhe mbeturina të ndryshme.
Pamjet e mbërritura në redaksinë e JOQ Albania dëshmojnë gjendjen alarmante. Mbeturina të shpërndara kudo, duke dëmtuar jo vetëm bukurinë e maleve, por edhe duke rrezikuar shëndetin e banorëve. Këta të fundit shprehen të shqetësuar për përhapjen e mundshme të sëmundjeve.
Një qytetar ka shprehur ankesën e tij nëpërmjet këtij mesazhi: “Në rrugën drejt shtëpisë sime në Fushë Arrëz është krijuar një vendgrumbullim i paligjshëm mbeturinash në mes të natyrës dhe kjo situatë po bëhet çdo ditë e më e rëndë. Po ndotet natyra jonë dhe shkatërrohet bukuria e maleve. Po rrezikohet shëndeti i banorëve me sëmundje, kafshë të rrezikshme dhe ndotje. Po shkatërrohet imazhi i Shqipërisë.”
Megjithëse banorët kanë dyshime mbi autorët e ndotjes, deri më tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar. Ajo që është e qartë është fakti se individë pa asnjë frikë nga ligji po shkatërrojnë çdo ditë më shumë biodiversitetin dhe bukurinë natyrore të kësaj zone.