Këshilltarët socialistë të Bashkisë së Tiranës janë mbledhur këtë pasdite në selinë e Partisë Socialiste, ku kanë diskutuar mbi urdhrin e kryeministrit Edi Rama për shkarkimin e Erion Veliajt nga posti i kryebashkiakut.
Pas konsultimeve, ata ranë dakord që në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të martën, më 23 shtator, të paraqesin zyrtarisht kërkesën për largimin e Veliajt nga detyra dhe për hapjen e procesit të zgjedhjeve të parakohshme lokale në kryeqytet.
Si bazë ligjore, socialistët përdorën nenin 62 të Ligjit për Vetëqeverisjen Vendore, ku përcaktohet se një kryetar bashkie mund të shkarkohet nëse mungon në detyrë për një periudhë më të gjatë se tre muaj. Veliaj nuk ka ushtruar funksionet e tij prej 10 shkurtit, ditë kur u arrestua me urdhër të SPAK-ut në kuadër të hetimeve për korrupsion dhe pastrim parash, dhe që nga ajo kohë ndodhet në paraburgim.
Në dalje të selizë rozë ata kanë shmangur gazetarët dhe janë larguar kokëulur pa asnjë reagim për mediat.
Në këtë mënyrë, PS-ja ka vendosur që të ndërmarrë iniciativën vetë, duke mos u mbështetur në kërkesën e mëparshme të këshilltarëve demokratë të opozitës.
Kryeministri Rama, gjatë Asamblesë Kombëtare të PS-së më 11 shtator, kërkoi nisjen e procedurave për shkarkimin e Veliajt dhe paralajmëroi zhvillimin e zgjedhjeve të reja në Tiranë. Ai gjithashtu propozoi Ogerta Manastirliun si kandidate të socialistëve për të drejtuar Bashkinë e Tiranës.