Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka refuzuar të hetojë ish-zv.kryetarin e Bashkisë së Tiranës, sot ministër në qeverinë “Rama 4”, Arbjan Mazniku, për një tender me vlerë 471 milion lekë të vjetra, që lidhej me rehabilitimin e rrugës “Xhon Belushi” në Fresk.
Vendimi i SPAK u mor një muaj pasi dosja ishte përcjellë nga Prokuroria e Tiranës, e cila shpalli moskompetencë duke pretenduar se çështja i takonte SPAK-ut. Por pa kryer asnjë verifikim të mëtejshëm, SPAK ia riktheu sërish dosjen Prokurorisë së Tiranës, duke refuzuar ta marrë në shqyrtim.
Argumenti i SPAK ishte se tenderi, megjithëse u hap nga Bashkia Tiranë me një fond limit prej 471 milion lekësh, u anulua menjëherë dhe për pasojë “vepra penale nuk mori kuptimin e kryerjes së saj”.
Ky tender u anulua një ditë pasi u denoncua publikisht nga ish-deputeti demokrat Belind Këlliçi, i cili e quajti rastin një “vjedhje flagrante” dhe i kërkoi SPAK-ut të hetonte. Në atë kohë, rruga “Xhon Belushi” ishte asfaltuar nga punonjësit e bashkisë, ndonëse tenderi ishte ende i hapur dhe pa shpallur fitues.
Pas denoncimit, Partia Demokratike kallëzoi në Prokurorinë e Tiranës si Erion Veliajn, ashtu edhe Arbjan Maznikun, në cilësinë e autoritetit kontraktor. Ky i fundit u thirr disa muaj më parë për të dhënë shpjegime, ku ka dëshmuar për rreth 5 orë.
Prokuroria e Tiranës vlerësoi se Mazniku dhe zyrtarë të tjerë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave kishin konsumuar veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”. Për këtë arsye, çështja iu përcoll SPAK-ut. Megjithatë, SPAK refuzoi të marrë përsipër hetimin, duke e kthyer dosjen mbrapsht në Tiranë.