Një banor i Durrësit ka denoncuar situatën e rrezikshme që ka të bëjë me shtyllat e energjisë elektrike në qytet, duke theksuar se tensioni i lartë për tokë në Vollga po shkakton rrezik për jetën e qytetarëve.
"Tension i lartë për tokë në Vollga, Durrës. Pastaj bien njerëzit në rrymë elektrike. Komplet jashtë standardit teknik, e papranueshme kjo gjendje", shkruan banori i Durrësit duke kërkuar ndërhyrje urgjente për rregullimin e situatës, e cila sipas tij është tepër e rrezikshme.
Pak ditë më parë, si pasojë e një shtylle elektrike jashtë standardit teknik, humbi jetën 42-vjeçari Bardhyl Kaloshi. Shtylla e dëmtuar dhe përmbytjet në Durrës bënë që Kaloshi të bie në kontakt me rrymën elektrike, duke marrë goditjen fatale nga korrenti.
Ky incident tragjik ka theksuar edhe më shumë rrezikun e vazhdueshëm nga infrastruktura e energjisë elektrike, e cila është jashtë çdo standarti sigurie. Ndërkohë, situata në Durrës, konkretisht në Vollga, vijon të mbetet kritike.
Shtyllat dhe telat e energjisë janë ende jashtë standardeve, dhe asnjë masë nuk është marrë për përmirësimin e gjendjes. Edhe pse ky incident tragjik ndodhi për shkak të mosreagimit të institucioneve përkatëse, si OSHEE e Enea Karakaçit dhe Bashkia Durrës nën drejtimin e Emirjana Sakos, nuk ka pasur asnjë ndërhyrje për të parandaluar këto rreziqe.