Një skandal i rëndë ka tronditur sistemin e burgjeve në Shqipëri, ku zyrtarë të lartë janë filmuar teksa marrin para për t’u siguruar të burgosurve leje daljeje nga qelia.
Rasti është zbuluar në Burgun e Fushë-Kosovës në Lushnje, ku emisioni investigativ “STOP” publikoi pamje që tregojnë Shefin e Regjimit të Brendshëm, Irakli Leka, duke marrë 700 euro nga një qytetar. Shuma ishte paguar në këmbim të një leje 5-ditore për një të afërm të tij që vuante dënimin. Vetëm dy ditë pas dorëzimit të parave, i burgosuri përfitoi lejen.
Në videon e bërë publike, Leka shpjegon hapur mekanizmin e korrupsionit, duke deklaruar se paratë ndahen mes tij, drejtorit të institucionit dhe eprorëve të tjerë. “I nisim letrat nesër në mëngjes. Të enjten del i afërmi. Është formale, po i thotë ky (Drejtori) nisi se i ka ok, se i ndajnë bashkë ata, shqip. Çfarë i dërgon drejtori i nisin ata. I thotë drejtori ok, ok dhe ata,” shprehet Leka.
Pas publikimit të skandalit, autoritetet ndërhynë duke arrestuar Lekën dhe duke e përjashtuar nga Policia e Burgjeve. Ndërkohë si masë shtesë, u pezulluan nga detyra Drejtori i Burgut të Lushnjes Elvin Kurti, dhe nëndrejtori Roland Duro.
Ky rast ekspozon hapur rrjetin korruptiv që ka pllakosur institucionet e burgjeve, duke hedhur një njollë të rëndë mbi integritetin e sistemit. Ironikisht, ndërsa burgjet duhej të garantonin zbatimin e ligjit, rasti dëshmon se në Shqipëri është më e lehtë të marrësh një leje 5-ditore nga qelia, sesa të arrestohesh nga policia. Mjafton të paguash 700 euro, ndoshta edhe më pak dhe lejen e ke në xhep.