Më shumë se 15 mijë vdekje në qytetet kryesore evropiane lidhen me pasojat e ngrohjes globale gjatë kësaj vere, sipas një studimi paraprak të realizuar nga Imperial College London dhe London School of Hygiene & Tropical Medicine.
Hulumtimi, i cili përfshiu 854 qytete evropiane, vlerëson se 68% e 24 400 vdekjeve të lidhura me temperaturat ekstreme kanë ardhur si pasojë e ndryshimeve klimatike. Konkretisht, mes 15 013 dhe 17 864 jetëve të humbura nuk do të kishin ndodhur pa efektet e ngrohjes globale.
Ky është vlerësimi i parë i gjerë mbi ndikimin shëndetësor të një vere të pazakontë për Evropën, ku disa shtete si Spanja, Portugalia dhe Mbretëria e Bashkuar shënuan temperaturat më të larta të regjistruara ndonjëherë.
Ekspertët theksojnë se pasojat e valëve të nxehtësisë mbi shëndetin janë të njohura: përkeqësim i problemeve kardiovaskulare, dehidratim, çrregullime gjumi dhe, mbi të gjitha, rrezik i lartë për të moshuarit.
“Valët e nxehtësisë janë vrasëse të heshtura. Nëse temperaturat rriten edhe me 2-4°C, mijëra jetë të tjera do të humbasin”, paralajmëroi Garyfallos Konstantinoudis, bashkautor i studimit.