Banorët e zonës së “Amfiteatrit Antik” në Durrës ndodhen prej disa muajsh në pasiguri për fatin e banesave të tyre.
Shkak është projekti i restaurimit të monumenteve historike e kulturore në këtë zonë me vlerë të veçantë arkeologjike, ndërsa plani i zhvillimit mbetet ende i paqartë për ta, sidomos në lidhje me shtëpitë që ata i kanë trashëguar brez pas brezi.
Qeveria ka marrë vendim për shpronësimin e këtyre banesave, por banorët pretendojnë se vlera e ofruar është thuajse tre herë më e ulët se çmimi real i tregut, çka ka nxitur pakënaqësi të mëdha tek ta.
Të shqetësuar për të ardhmen, qytetarët kanë dalë në protestë duke kërkuar sqarime dhe rishikim të vlerës së shpronësimit. Ata shprehen se me shumën që parashikohet të marrin, nuk kanë mundësi të sigurojnë një banesë të re, duke i lënë kështu përballë një të ardhmeje të pasigurt.