U kap në Londër për tentativë vrasje e trafik droge, sekuestrohen pasuritë e ‘krahut të armatosur’ të Berishës

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 17.09.2025, 12:50

Prokuroria e Kukësit ka ndërmarrë një veprim ligjor ndaj pasurive të Fatjon Dautit, i njohur publikisht si krahu i djathtë i armatosur i ish-kryeministrit dhe liderit të opozitës Sali Berisha. Dauti aktualisht ndodhet i arrestuar në Londër, ku përballet me akuza të rënda për vrasje dhe trafik ndërkombëtar droge.

Në njoftimin zyrtar të Prokurorisë së Kukësit thuhet se, me kërkesë të organit të akuzës pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, janë konfiskuar tre pasuri të familjarëve të Dautit. Këto pasuri dyshohet të jenë përfituar nga aktivitetet kriminale të tij dhe u sekuestruan mbi bazën e akuzës për “Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.

Hetimet zbulojnë se Fatjon Dauti, përveçse i arrestuar nga Policia Metropolitane e Londrës për veprën penale të “Vrasjes mbetur në tentativë”, ka qenë njëkohësisht në shënjestër të Agjencisë Kombëtare kundër Krimit në Angli (NCA) për “Trafik droge” dhe “Pastrim parash”.

Kush është Fatjon Dauti?

Fatjon Dauti nuk është një emër i panjohur për publikun dhe aq më pak për policinë. Ai u bë i famshëm vite më parë kur, sipas akuzave, shkelmoi derën e selisë së Partisë Demokratike, duke ndezur sherrin mes dy fraksioneve blu të Bashës dhe të Berishës.

Ish-kreu i PD-së, Lulzim Basha, e akuzoi Dautin se, i nxitur nga Flamur Noka, goditi me shqelm derën e sallës së mbledhjeve, duke theksuar se kishte një të shkuar kriminale. Nga ana tjetër, Noka e hodhi poshtë këtë version, duke i quajtur “shpifje” akuzat e Bashës dhe njerëzve të tij.

Emri i Dautit ka kapërcyer kufijtë e Shqipërisë. Në qershor të këtij viti, mediat britanike si Sunday Express dhe Express.co.uk i kushtuan artikuj ku e identifikonin si “B9”, pseudonimi me të cilin njihej në Angli. Sipas tyre, bëhet fjalë për një 36-vjeçar të dëbuar nga Britania e Madhe, mbi të cilin rëndojnë akuza për trafikim droge.

Në të njëjtat raporte, ai cilësohej si një “boss krimi”, i përfolur për përmbytjen e Britanisë me hashash dhe kokainë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit