Edon Zhegrova ka arritur të bëjë për vete zemrat e tifozëve të Juventusit që në paraqitjen e tij të parë me fanellën bardhezi.
Debutimi i sulmuesit prishtinas erdhi në ndeshjen e paharrueshme ttë mbrëmjes së djeshme kundër Borussia Dortmundit, sfidë e fazës së grupeve në Champions League 2025-2026. Takimi u shndërrua në spektakël të vërtetë, me plot tetë gola të shënuar vetëm në pjesën e dytë dhe që përfundoi me rezultatin dramatik 4-4.
Deri në minutat e fundit, “Zonja e Vjetër” ishte e dorëzuar, duke humbur 2-4. Pikërisht aty nisi ndikimi i Zhegrovës. I aktivizuar në minutën e 87-të në vend të Kenan Yildiz, ai solli freskinë dhe shpirtin e duhur në repartin ofensiv. Në minutën e katërt shtesë, Dusan Vlahovic ngushtoi shifrat në 3-4, ndërsa në minutën e gjashtë shtesë erdhi momenti kulmor: Lloyd Kelly realizoi golin e barazimit, por aksioni kishte lindur nga këmbët e Zhegrovës.
Ky rol vendimtar në golin e fundit e ka bërë 25-vjeçarin kosovar menjëherë një emër të dashur për tifozët juventinë. Në rrjete sociale, fansat bardhezi kanë shpërthyer me lavdërime për lojtarin e transferuar në ditën e fundit të merkatos, duke e parë si një “xhevahir” që mund t’i japë skuadrës energjinë dhe kreativitetin që i mungonte.