Fermerët shqiptarë po kalojnë një periudhë të vështirë për shkak të dështimeve të politikave të shtetit, që kanë çuar në pasoja të rënda për bujqësinë. Një ngjarje e fundit, ku 8 ton domate u kapën me pesticide të ndaluara në eksportin për Kroacinë, ka sjellë masa ndëshkuese, duke ndërprerë mundësitë për eksportet e tjera dhe duke thelluar krizën për fermerët e ndershëm shqiptarë.
Një qytetar ka dërguar një video në JOQ për të theksuar urgjencën e situatës dhe kërkoi që ky problem të bëhet i njohur për publikun dhe autoritetet. Ai denoncoi se fermerët janë të braktisur nga shteti dhe se situata po i shtyn ata drejt falimentimit, ndërkohë që politikat e paplanifikuara po e bëjnë të pamundur mbijetesën e tyre në një sektor që ka qenë bazë për ekonominë e vendit.
"Përshëndetje, JOQ! Ju lutem, na ndihmoni të ngrisim shqetësimin se ne po falimentojmë me bujqësinë shqiptare. Shteti nuk po na jep asnjë zgjidhje dhe jemi drejt falimentimit. Të gjitha fshatrat e Dimalit dhe Roskovecit, pikat nuk grumbullojnë dhe tallen me fermerët", shkruan qytetari.
Për pasojë, shumë fermerë po largohen nga bujqësia, pasi nuk gjejnë mbështetje nga shteti për t'u përshtatur me rregullat ndërkombëtare dhe për të luftuar përdorimin e substancave të dëmshme. Pikat e grumbullimit të prodhimeve janë të bllokuara, dhe bujqësia shqiptare është në rrezik të falimentimit, duke i shtuar edhe më shumë humbjet e fuqisë punëtore në këtë sektor.