Më 17 shtator 2023, Presidenti Bajram Begaj u nis drejt SHBA-së për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, por delegacioni që përfaqësonte Shqipërinë ngjante më shumë me një grup shëtitësish sesa me një ekip shtetëror. Pjesë e delegacionit ishte djali i presidentit, gruaja e tij, parukierja e gruas dhe shoqja e gruas me bashkëshortin.
Një përfaqësim që të kujton më shumë një udhëtim familjar sesa një mision shtetëror dhe kjo me taksat e popullit. Në vend të ekspertëve të politikës së jashtme apo figurave që do të kontribuonin në diskutimet ndërkombëtare, Shqipëria shfaqi një model të ri diplomacie, atë ku familja, shoqëria dhe krehja e flokëve ka prioritet mbi përfaqësimin.
Presidenti zgjodhi të shoqërohej nga rrethi i ngushtë personal, duke e shndërruar udhëtimin e një shteti të tërë në një ekskursion familjar me shpenzime publike. Ai mori me vete bashkëshorten e tij, djalin e tij, parukieren e gruas, shoqen e gruas dhe burrin e shoqes së gruas, biznesmen i një fabrike tullash.
Një udhëtim shtetëror që hyri në histori jo për çfarë tha presidenti në podiumin e OKB-së, por për kë kishte ulur në avionin drejt Amerikës. Sot, dy vite më pas, ky episod kujtohet si shembulli më i qartë se në Shqipëri udhëtimet e punës së përfaqësuesve të shtetit ngatërrohen me pushimet, dhe diplomacia përfundon në një album fotografik familjar me taksat e popullit.
