Kërkuan të drejtat e tyre, pronarët shqiptarë rrahin punëtorët emigrantë në Itali

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 17.09.2025, 00:42

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Montemurlo, provinca e Prato-s në Itali, ku disa punëtorë emigrantë janë dhunuar fizikisht nga pronarët e një fabrike mode. Ngjarja u filmua dhe pamjet po qarkullojnë gjerësisht në rrjetet sociale dhe mediat italiane, duke shkaktuar indinjatë të madhe.

Sipas raportimeve të mediave italiane, gjithçka ndodhi në fabrikën L’Alba Srl, e cila administrohet nga pronarë shqiptarë. Punëtorët, kryesisht me origjinë nga Pakistani, Afganistani dhe Bangladeshi, kishin organizuar një protestë për të kërkuar respektimin e të drejtave të tyre. Pikërisht gjatë kësaj proteste ata u sulmuan me grushte e shkelma nga drejtuesit e fabrikës.

Sindikatat në Itali, mes tyre SUDD Cobas, kanë denoncuar publikisht rastin, duke theksuar se punëtorët përballeshin prej kohësh me kushte të rënda shfrytëzimi: kontrata fiktive, paga të ulëta, orë shtesë të papaguara dhe presion të vazhdueshëm për të punuar deri në 12 orë në ditë. Protesta kishte si qëllim ndërprerjen e këtyre abuzimeve, por përfundoi në dhunë.

“Punëtorët u sulmuan në mënyrë brutale nga pronarët, duke i goditur me grushte e shqelma dhe duke shkatërruar gazebot e ngritura për protestë,” thuhet në një nga denoncimet e publikuara nga sindikata, raportojnë mediat italiane.

Ky incident ka rikthyer në vëmendje problemet e shfrytëzimit të emigrantëve në industrinë e modës në Itali, ku sipas mediave vendase shpesh përdoren skema fiktive dhe kontrata të rreme për të ulur kostot e punës, duke shkelur të drejtat bazë të punëtorëve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit