Një qytetare i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një situatë shqetësuese në rrugicën Sadik Kaceli në Tiranë. Siç dëshmohet dhe në pamjet e mbërritura, një gropë është hapur në asfalt duke nxjerrë në pah gjendjen e degraduar të kanalizimeve të ujërave të zeza dhe cilësisë së punimeve.
Qytetarja tregon se materiali i dokumentuar i është përcjellë sot në mesditë UKT-së, por deri më tani nuk është bërë asnjë inspektim në terren. Përgjigjja që ka marrë ishte se duhen “48 orë”, vonesë që banorët e konsiderojnë të papranueshme për një situatë kaq emergjente.
Për shkak të rrezikut, banorët janë detyruar të bllokojnë qarkullimin e automjeteve, pasi ekziston mundësia që ndonjë mjet të rrëshqasë e të përfundojë në gropë. Ndërkohë, ujërat e zeza rrezikojnë të dalin mbi sipërfaqe, duke kërcënuar shëndetin e tyre dhe ndotjen e zonës.
Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet përpara se situata të marrë përmasa më të rënda.