Kriza e furnizimit me ujë të pijshëm po shndërrohet në një problem të përditshëm për shumë banorë të Tiranës. Në zona si Kashar e Babrru, familjet prej vitesh mbështeten vetëm te puset e oborreve, pasi furnizimi nga rrjeti i Ujësjellësit mungon.
“Jetoj në Kashar dhe nuk kemi fare ujë, madje ndihmoj edhe komshinjtë”, shprehet një banor, ndërsa një tjetër nga Babrruja thotë se prej vitit 1998 mbështetet vetëm te pusi i shtëpisë.
Situata nuk është më e lehtë as në zona të tjera të kryeqytetit. Në Allias, uji vjen vetëm tri herë në ditë dhe qëndron rreth 1 orë e gjysmë, duke mos mbuluar nevojat bazë të familjeve. Banorët e Kinostudios raportojnë se furnizimi nuk zgjat më shumë se 90 minuta në ditë.
Probleme të ngjashme kanë prekur edhe rezidencat diplomatike, përfshirë ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian dhe shteteve të tjera. Ata kanë ngritur shqetësimet përmes kanaleve zyrtare, ndërsa UKT ka dhënë përgjigjen standarde se “po merren masa”. Sipas institucionit, rezidencave u takon vetëm 1 metër kub ujë në ditë, një sasi që nuk mjafton për nevojat minimale.
Me rritjen e shpejtë të popullsisë, Tirana po përballet çdo vit me vështirësi gjithnjë e më të mëdha në furnizimin me ujë. Vetë UKT ka pranuar se këtë verë ka pasur më pak ujë se vitin e kaluar, ndërsa paralajmëron se vitin e ardhshëm furnizimi pritet të jetë edhe më i kufizuar.