Një incident i rëndë u regjistrua sot në Tiranë i raportuar ekskluzivisht për JOQ, ku Sindi Allushi, djali i kryetarit të njësisë administrative nr. 12, Saimir Allushi, u filmua duke dhunuar fizikisht një qytetar.
Ngjarja ndodhi mëngjesin e sotëm, rreth orës 09:00, dhe pamjet e raportuara nga JOQ tregojnë momentin e goditjes pa ndonjë provokim nga pala tjetër.
Sipas Policisë së Tiranës, konflikti lidhet me një çështje pronësie. Përveç dhunës fizike, Allushi akuzohet se ka kërcënuar edhe në telefon qytetarin që u bë objekt i agresionit. Rasti është referuar në Prokurori për hetim të mëtejshëm.
Një tjetër element i rëndë i ngjarjes është fakti se një efektiv policie, ndodhur në vendngjarje, nuk ndërhyri për të ndalur dhunën. Për këtë arsye, ndaj tij është marrë masa disiplinore e pezullimit nga detyra.
Burimi për JOQ deklaron: "Duan të marrin tokën me dhunë për pallat. U rrahën se duan të marrin truallin tek ura pronarit që ka bar Bazikun. Ai madje ka gjujt policët e Shqiponjave dhe ka qenë dhe në kërkim dhe ecte i lirë e madje s'e prekte kush nga policët e komisariatit numër 4 se është djali i administratorit të njësisë 12."
Ky nuk është episodi i parë ku emri i Sindit Allushi lidhet me dhunë. Më 18 janar, ai ishte përfshirë në një përplasje me një efektiv të forcave “Shqiponja” në rrugën “Siri Kodra”, pasi kishte kundërshtuar urdhrat e policisë. Edhe atëherë ngjarja kaloi në heshtje pa ndonjë reagim zyrtar publik.
Efektivi i policisë i cili nuk reagoi pasi Allushi goditi qytetarin është pezulluar pas publikimit të videos së dhunës nga JOQ.