Skema piramidale në lokalin e tij, ‘profesor’ Çela: S’di çfarë bënin kamarierët, jam shumë keq

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 16.09.2025, 18:22

Arbër Çela, pronari i bar-restorantit “La Bonta” në hyrje të qytetit të Lushnjes, në rrugën “Shëtitorja e Palmave”, rezulton të jetë "Profesori" i skemave piramidale që fundosën mijëra qytetarë në Lushnje, Fier e Divjakë duke investuar në platforma fantazmë për kriptovalutat.

38-vjeçari i cili tashmë është arrestuar së bashku me disa bashkëpunëtorë të dyshuar kishte kthyer lokalin e tij në bazë funksionale të skemës, ku fermerët dhe banorët orientoheshin nga kamarierët për të bërë regjistrimin dhe investimin përmes aplikacioneve. Sipas dosjes hetimore, kamarierët, përveç shërbimit, luanin rolin e ndërmjetësve duke përfshirë persona të rinj në platformë dhe duke i ndihmuar me hapjen e llogarive.

Në dëshminë para hetuesve, Arbër Çela ka pretenduar se nuk ka qenë organizator i skemës dhe se edhe ai vetë është mashtruar. Ai pohon se platformën ia kishte sugjeruar nipi i tij nga jashtë shtetit dhe se vetë, bashkë me motrën dhe bashkëshorten, kishin investuar rreth 2 mijë dollarë, duke përfituar deri në 6 mijë. Çela thekson se paratë i ka tërhequr në Kosovë dhe mohon që të ketë detyruar ndokënd për të investuar apo se ka qenë në dijeni të veprimeve të kamarierëve të tij.

"Unë kam investuar vetëm në platformën Xuex, në Txex jo dhe më ka sugjeruar nipi im i cili jeton jashtë shtetit. Të gjitha ti mëson vet Joana dhe profesor Smith. Dua të them se të gjitha procedurat unë i kam mësuar nga grupi ku i dërgonin Joana dhe Leo Smith, me video. Unë kam bërë 2300 dollarë investim në fillim dhe se kjo është shuma që unë kam investuar vetëm 2300 dollarë. Unë kam investuar rreth datës 10 ose 11 Prill të këtij viti, pra 2025 dhe kam tërhequr, rreth 8-9 mijë USD. Unë këto para i kam tërhequr në Prizren, Kosovë. Kam shkuar vetëm një herë atje dhe ka qenë dje. Unë nuk kam ftuar njeri, por familjarët e mi kanë kërkuar vet të hyjnë. Këta persona janë familjarët e mi motra, bashkëshortja dhe kushëri im. Dua të them se unë kam fituar në total aq diku tek 6 mijë dollarë, nga ky investim prej 2 000 dollarë që kam futur. Unë e kam menaxhuar vet platformën dhe nuk e ka menaxhuar askush tjetër".

"Duke më parë mua familjarët e mi, që isha pjesë në këto platforma, shprehën dëshirën dhe kërkuan që të futeshin dhe ato në këtë aplikacion me llogaritë e tyre personale. Theksoj se nuk jam unë personi që mund të kem mashtruar të tjerët, por unë jam i mashtruar vet nga kjo platformë, pasi unë as kam detyruar dhe as kam pasur mundësi që të implikoja persona të tjerë për ti bërë pjesë të kësaj platforme. Përsa i përket veprimit të simuluar që ju po më citoni se është kryer në ambientet e biznesit tim, me kamarierët e lokalit, dua të sqaroj se unë nuk kam asnjë dijeni për veprimet që bëjnë ata në telefonat e tyre, apo biseda që bëjnë me klient të ndryshëm që frekuentojnë lokalin tim, në këtë rast edhe me agjentët e policisë, sepse mendoj se ata bëjnë punën e tyre dhe shesin produktet e lokalit. Unë ndihem shumë keq që ndodhem këtu, sepse unë jam një ndër personat që jam i gënjyer dhe i mashtruar nga kjo platformë".

Gjatë operacionit të zhvilluar nga policia, u arrestuan edhe Emanuel Taullau 21 vjeç, Flavio Mukaj 23 vjeç, Marius Kodra 28 vjeç, Brunilda Todi dhe Brunilda Ndini, të dyja 38 vjeçe. Ndërkohë janë shpallur në kërkim Alma dhe Ereledio Shebeku, burrë e grua. Policia sekuestroi 50 telefona, 11 kompjuterë, pajisje elektronike, DVR, një automjet dhe shuma të konsiderueshme parash.

Hetimet tregojnë se vetëm në Bashkinë Divjakë janë identifikuar rreth 580 persona të regjistruar në platformat mashtruese, të cilët kanë investuar shuma që shkojnë nga 1,000 deri në 5,000 dollarë. Skema dyshohet të jetë përhapur masivisht në komunitetin lokal, përfshirë edhe punonjës të administratës, duke ngritur pikëpyetje të mëdha për kontrollin dhe ndërgjegjësimin institucional ndaj aktiviteteve të tilla të paligjshme.

Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrjetit të përfshirë në mashtrim dhe për identifikimin e organizatorëve kryesorë, ndërsa qytetarëve u bëhet thirrje të shmangin platformat e dyshimta që premtojnë fitime të shpejta dhe të paarsyeshme.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit