Projektligji për “Barazinë Gjinore”, tashmë i depozituar në Kuvend, ka pësuar ndryshime të ndjeshme krahasuar me versionin fillestar.
Në vend të përkufizimit tradicional “burrë dhe grua”, drafti i ri sjell një formulim gjithëpërfshirës, duke hapur rrugën për njohjen e gjinisë përtej kufijve biologjikë. Ky ndryshim ka ndezur reagime dhe diskutime të shumta në rrjetet sociale.
Në variantin e parë, i publikuar për konsultim në mars, neni 4 e kishte të përcaktuar qartë se “gra dhe burra” nënkuptonin “vajza dhe djem”. Por pas disa muajsh, duket se drafti ka kaluar në një formë të re, detajet e së cilës u bënë publike vetëm së fundmi.
Sipas dokumentit të fundit, termi “gjini” nuk kufizohet më vetëm tek burrat dhe gratë, por përfshin edhe identitete të tjera, duke e lidhur drejtpërdrejt me parimet e barazisë dhe mbrojtjes nga diskriminimi për shkak të identitetit ose shprehjes gjinore.
Këto ndryshime pasojnë kërkesën e Aleancës LGBTI, e cila gjatë procesit të konsultimeve propozoi një përkufizim më të gjerë të gjinisë. Sipas burimeve, sugjerimi u pranua pa kundërshtim nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqënies Sociale, duke u futur më pas në Kuvend pa shumë bujë, ku pritet të marrë miratimin.
Kujtojmë se projektligji ka pasur një rrugëtim të vështirë. Në herën e parë, Gjykata Administrative e rrëzoi, duke hedhur poshtë vendimin e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi në një çështje që përfshinte pastorin Akil Pano.
Ajo që ka shkaktuar më shumë debat është futja e termave “gjithëpërfshirëse” dhe “shprehje gjinore”, të cilat i japin status juridik identiteteve të reja, pa përcaktuar një listë të qartë. Në arenën ndërkombëtare, studiues flasin për mbi 70 identitete gjinore, çka ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si ky ligj do të zbatohet në praktikë.