Ekspertët paralajmërojnë: Kujdes nga plumbi, dëme të parikthyeshme te fëmijët

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 16.09.2025, 17:49

Plumbi, një metal i rëndë që ndodhet në ambientin tonë të përditshëm, po kthehet në një kërcënim serioz për shëndetin publik, veçanërisht për fëmijët.

Ekspertët e Shëndetit Publik në Shqipëri ngrenë alarmin për nivelin e lartë të ekspozimit ndaj këtij metali toksik, i cili mund të shkaktojë dëme të parikthyeshme në organizëm.

Sipas të dhënave më të fundit, 1.5% e vdekjeve në nivel botëror çdo vit lidhen drejtpërdrejt me ndotjen nga plumbi, ndërsa fëmijët mbeten grupi më i prekur. Efektet shëndetësore janë alarmante: dëmtime në tru, zhvillim të vonuar, probleme neurologjike dhe dëmtim të organeve të brendshme, që nisin që në barkun e nënës.

Sipas specialistëve të Institutit të Shëndetit Publik, plumbi mund të gjendet në: ndërtesat e vjetra me instalime të amortizuara, bojërat jo të certifikuara për shtëpi, lodrat plastike të pacertifikuara, kozmetikat me përmbajtje të dyshimtë, trafikun e rënduar urban, pluhurin në ambientet e brendshme dhe zonat pranë industrive të ndotura.

Fëmijët janë më të ndjeshëm, sepse trupi i tyre thith më lehtë plumbin dhe nuk ka ende mekanizma të zhvilluar për ta përpunuar ose eliminuar atë”, thonë ekspertët.

Ekspertët këshillojnë kujdes të shtuar nga prindërit dhe edukatorët, sidomos në ruajtjen e higjienës në ambiente ku qëndrojnë fëmijët. Ata rekomandojnë pastrimin e pluhurit me leckë të lagur, jo të thatë, kontrollin e lodrave dhe produkteve të fëmijëve për certifikim CE, shmangien e qëndrimit afër trafikut të rënduar dhe zonave industriale dhe kryerjen e analizës së gjakut për të zbuluar nivelet e plumbit në organizëm.

Ekspozimi ndaj plumbit është i padukshëm, por pasojat e tij janë afatgjata dhe të rënda”, paralajmërojnë mjekët.

Apeli i tyre i drejtohet edhe institucioneve për të ndërmarrë masa konkrete në kontrollin e produkteve dhe mjediseve me rrezik të lartë, për të parandaluar një krizë të heshtur shëndetësore që po prek brezin e ri.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit