Kryetari i partisë “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka folur publikisht mbi mandatin e kushërirës së tij deputetes Ana Dajko, e vetmja përfaqësuese e ish-koalicionit në Kuvend.
Rikujtojmë se Dajko e nisi karrierën politike me disa gafa të cilat u korrigjuan shpejt nga gazetarët në një dalje publike, ku ndër të tjera tha se partia e saj kishte fituar 64 mijë mandate.
Lapaj theksoi se Dajko nuk ka pasur kurrë ambicie politike për të qenë deputete, por ka zgjedhur të mbajë mandatin vetëm për të mos ia dorëzuar Shabanit, të cilin e quajti “tradhtar” që i pengoi hyrjen në parlament.
“Ana Dajko nuk e ka dashur dhe nuk e do mandatin, por e mban si të vetmen mënyrë që të mos ia japë një tradhtari. Është nënë e nderuar e 2 djemve dhe e 3 nipërve e mbesave. E ndoqa, e pashë emocionin e saj. Foli me emocionin e nënës. Është njeriu më i ndershëm i asaj salle,” – tha Lapaj.
Në vijim, ai u ndal edhe tek roli i Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), duke e cilësuar si të kapur nga interesat politike.
“KAS ka 5 vetë, 3 të PS dhe 2 të PD dhe këta të PD-së qeshnin bashkë me këta të Ramës. Këta që bëjnë sikur zihen, kjo opozita nuk mbante anën e një subjekti opozitar,” – theksoi ai.
Sipas Lapajt, Dajko nuk do të jetë një deputete e zakonshme, por do të përfaqësojë qytetarët në një mënyrë të ndryshme, duke u distancuar nga interesat e ngushta politike.