Pranë redaksisë së JOQ Albania ka mbërritur një tjetër denoncim që tregon fytyrën e shëmtuar të administratës publike. Para konvikteve të Fakultetit të Mjekësisë, studentët e rinj janë të detyruar të presin me orë të tëra në radhë, të ekspozuar nën diellin përvëlues, vetëm që të kryejnë regjistrimin.
Ndërkohë që radhët lëvizin me ritëm breshke dhe dhjetëra të rinj vuajnë në pritje, disa të tjerë kalojnë pa asnjë pengesë, sepse hyjnë “me mik” ose duke paguar. Situata bëhet edhe më absurde kur punonjësit e administratës, në vend që të shërbejnë me korrektësi, shihen duke u marrë me ‘kafet’ dhe duke shpërfillur të rinjtë që presin jashtë.
Fenomeni i favorizimeve dhe korrupsionit të vogël është kthyer në plagë të përvitshme në këtë proces, duke ndarë studentët “të nënës” e “të njerkës”. Ata që nuk kanë lidhje ose nuk japin para, detyrohen të presin me orë të tëra, ndërsa të tjerët regjistrohen menjëherë.
Një proces i thjeshtë administrativ është shndërruar në torturë psikologjike dhe fizike për qindra studentë që duan të sigurojnë një vend në konvikte. Por në vend që të garantohet barazi dhe rregull, sundon kaosi, neglizhenca dhe abuzimi.
Ata i bëjnë thirrje institucioneve përkatëse që nga universiteti deri te Bashkia e Tiranës, të marrin masa urgjente për t’i dhënë fund këtij fenomeni të turpshëm që cënon dinjitetin e studentëve dhe të ardhmen e tyre.