Ish kryetari i bashkisë Durrës Vangjush Dako do të rikthehet edhe një herë tjetër në qeli. Këtë ka vendosur ditën e sotme Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Gjykata vendosi të lerë në fuqi masën e dënimit me 2 vite e 8 muaj burg të caktuar ndaj Dakos nga gjykata e shkallës së parë në 25 nëntor të vitit të shkuar.
Vangjush Dako u shpall fajtor për shpërdorim detyre në dy raste. Ai u arrestua më 6 qershor 2023, por u lirua nga qelia tetë muaj më vonë, pasi SPAK nuk arriti të përfundonte hetimet brenda afateve të përcaktuara nga gjykata. Masa e tij e sigurisë u zëvendësua nga “arrest me burg” në atë të “arrestit shtëpiak”.
Aktualisht ai ndodhej në masën e sigurimit “arrest shtëpie”, por pas këtij vendimi sipas përllogaritjeve, Dakos i mbeten edhe disa ditë të tjera për të vuajtur në qeli.
Ish-zyrtari socialist akuzohet për abuzime me dhënien e lejes së ndërtimit të një pallati shumëkatësh si dhe për shpërdorim të fondeve publike në procedurën e prokurimit për ndërtimin e një shëtitoreje në bregdet.