Detaje të reja janë zbardhur rreth aksidentit të ndodhur mesditën e sotme në autostradën Fier–Lushnje, në zonën e njohur si “Kryqëzimi i Vajkanit” , ku dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën, duke shkaktuar një viktimë dhe dy të plagosur.
Si pasojë e përplasjes fatale, ka ndërruar jetë Marjana Kovaçi, rreth 60 vjeçe, ndërsa vajza e saj, Laureta Mali, e cila drejtonte një automjet tip BMW, dhe një tjetër person, kanë mbetur të plagosur.
Të lënduarit janë transportuar menjëherë në Spitalin Rajonal Fier, ku ndodhen nën kujdesin e mjekëve. Burime spitalore bëjnë me dije se gjendja e tyre shëndetësore është e stabilizuar, por mbetet për t’u monitoruar në vijim.
Sipas informacioneve paraprake, aksidenti dyshohet se u shkaktua nga një manovër e gabuar e një automjeti tip ‘Citroen’, me drejtues Jonathan Mccoy, shtetas britanik. Ky automjet dyshohet se ka goditur mjetin BMW që drejtohej nga Laureta Mali, duke shkaktuar përplasjen fatale ku humbi jetën nëna e saj.
Në vendngjarje ndodhen forcat e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit. Ndërkohë, qarkullimi në këtë segment vijon me vështirësi, nën drejtimin e patrullave rrugore, të cilat po menaxhojnë trafikun për të shmangur incidente të tjera.