Java e tretë e shtatorit ka nisur me një tjetër zhvlerësim të euros ndaj lekut.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, për herë të parë euro ka rënë nën nivelin e 97 lekëve, duke u këmbyer më 15 shtator me 96.91 lekë. Në disa pika këmbimi, vlera ka qenë edhe më e ulët, deri në 96 lekë për një euro.
Ky nivel është më i ulët edhe se ai i periudhës korrik-gusht, që zakonisht përkon me pikun e sezonit turistik, dhe tregon për një ofertë të lartë të valutës europiane në treg. Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë që në tremujorin e dytë me blerje valute për të frenuar forcimin e lekut, por efekti ka qenë i kufizuar: rënia vetëm është ngadalësuar, jo ndalur. Shumat e blera për këtë qëllim deri tani nuk janë bërë publike.
Parashikimet sugjerojnë se euro mund të mbetet në një periudhë zhvlerësimi për një kohë të pacaktuar, duke mbajtur presion mbi tregun valutor.