Një sulm masiv kibernetik ka goditur markat luksoze të modës si Gucci, Balenciaga dhe Alexander McQueen, duke vjedhur të dhëna personale të mbi 7,4 milionë klientëve. Grupi i njohur Shiny Hunters ka arritur të aksesojë informacionet më të ndjeshme të konsumatorëve, duke përfshirë emra, adresa email, numra telefoni, dhe shuma të shpenzuara në dyqanet luksoze. Kering, kompania mëmë që menaxhon këto marka, ka konfirmuar incidentin dhe ka siguruar se nuk janë prekur të dhënat financiare si kartat e kreditit.
Sipas raportimeve, disa klientë kanë shpenzuar mbi 10,000 dollarë në këto marka, ndërsa disa të tjerë kanë arritur deri në 86,000 dollarë. Ekspertët e sigurisë paralajmërojnë se këto të dhëna mund të përdoren për mashtrime të mëtejshme dhe sulme kibernetike ndaj viktimave. Sulmi, i cili ndodhi në prill të vitit 2024, është pjesë e një serie sulmesh të ngjashme ndaj markave të njohura luksoze si Cartier dhe Louis Vuitton. Kering ka deklaruar se ka njoftuar autoritetet përkatëse për mbrojtjen e të dhënave dhe ka refuzuar të paguajë shpërblim në Bitcoin, siç kanë kërkuar kriminelët.
Grupi Shiny Hunters ka pretenduar se ka akses në të dhënat e 7,4 milionë adresa email, por deri tani nuk ka asnjë informacion nëse ata do të publikojnë këto të dhëna.