Kanë kaluar gjashtë muaj nga nata e 16 marsit, kur diskoteka “Puls” në Koçan të Maqedonisë së Veriut u kthye në një kurth vdekjeje. Flakët e fuqishme, të shkaktuara nga mjete piroteknike që prekën materialet e ndezshme në tavan, morën jetën e 62 të rinjve dhe plagosën mbi 200 persona. Një derë e vetme hyrëse-dalëse dhe mungesa e lejeve të vlefshme e shndërruan lokalin në skenën e një tragjedie të paralajmëruar.
Hetimet e deritanishme kanë nxjerrë në pah një zinxhir shkeljesh dhe përgjegjësish të shpërndara në shumë hallka institucionale. Përveç mungesës së kontrolleve dhe lejeve të falsifikuara, është evidentuar edhe mosveprimi i inspektorëve përgjegjës. Prokuroria ka ngritur akuza ndaj 34 personave dhe tre kompanive, ku përfshihen ish-kryetarë komunash, ish-ministra, funksionarë dhe inspektorë. Së fundmi, nën akuzë është vënë edhe pronari i kompanisë së sigurimit “Rubikon”, i dyshuar për mosrespektim të standardeve të sigurisë.
Megjithatë, pavarësisht se aktakuza është dorëzuar që në qershor, Gjykata Penale nuk ka caktuar ende një seancë gjyqësore. Aktualisht janë në shqyrtim rreth 40 ankesa, ndërsa dosja vijon të mbetet në fazën e vlerësimit.
Ndërkohë, familjarët e viktimave nuk kanë ndalur thirrjet e tyre për drejtësi. Çdo të shtunë ata organizojnë “Marshin e engjëjve” në rrugët e Koçanit, duke mbajtur të gjallë kujtimin e të dashurve të humbur. Së fundmi, ata kanë shpallur një thirrje për një tubim të heshtur në sheshin kryesor të Shkupit. “Duhet të ketë drejtësi, Koçani nuk duhet të mbahet mend vetëm si qyteti i dhimbjes,” theksojnë ata.
Tragjedia e Koçanit mbetet një plagë e hapur, jo vetëm për familjet e viktimave, por edhe për gjithë shoqërinë që pret ende llogaridhënie dhe masa konkrete për të mos lejuar përsëritjen e një makthi të tillë.